Valbona kundër Veleçikut, vetëm për fitore

Valbona do të luajë këtë të dielë ndeshjen kundër Veleçikut, e vlefshme për javën e 7 të Kategorisë së Dytë.

Rikthimi në Kategorinë e Dytë ka bërë, që klubi Tropojan të ketë ambicie më të mëdha këtë sezon. Valbona deri tani ka luajtur vetëm 4 takime nga 6, nga të cilat ka fituar 2 dhe ka barazuar 2 të tjera, duke koleksionuar 8 pikë dhe duke u pozicionuar në vendin e 6-të të tabelës së klasifikimit të Grupit A.

Në sfidën e fundit, ekipi i drejtuar nga trajneri Oltion Kërnaja barazoi 1-1 me Vorën në transfertë, duke u prishur vendasve festën e inagurimit të stadiumit të ri.

Ndërkohë, që këtë javë pret Veleçikun, i cili renditet e 4-ti me 10 pikë, pas 6 ndeshjes të luajtura. Me gjithë respektin për kundërshtarin, tropojanët do të synojnë fitoren, e cila do t’i afronte më afër kreut, edhe pse kanë edhe dy ndeshje për të rekuperuar kundrejtë rivalëve. Takimi Valbona-Veleciku është programuar për t’u luajtur të dielën në orën 14:00 në stadiumin e Tropojës.