Një udhëtim drejt Kukësit e Tropojës në zbulim të boronicës shqiptare; frutit të shëndetit

Nga Ali Hasani

Udhëtojmë drejt qarkut të Kukësit, ku përfshihen rrethet Kukës, Has e Tropojë, trevat e të cilëve, me të drejtë mund të quhen edhe perlat e Alpeve Shqiptare, atje ku shqiponjat dhe banorët e këtyre anëve kanë ngritur në shekuj foletë e tyre. Rrugën e bëmë pa e ndjerë fare, sepse diskutimet tona u përqendruan vetëm në një temë: në florën mjekësore të këtyre anëve, llojet, vlerat, gjeografinë dhe sasitë që mund të grumbullohen në këto rrethe, si edhe u ndalëm në një specie të veçantë, boronicën. Në grup me ne janë Shefki Nika inxhinier pyjesh, bashkë me asistentin e tij, Hasan Aliun, si dhe Naim Koldashi, agronom. Te dy njohës të mirë të florës spontane të këtyre anëve.
Sapo dolëm nga tuneli i Kalimashit, u shfaq si në një ekran gjigant i gjithë qarku i Kukësit, si dhe po nga ky “ballkon” na u hap “dritarja” për të parë dhe shijuar gjithë bukuritë e pasuritë e rralla natyrore që ai ka.
Përpara nesh, uji i Liqenit të Fierzës, brigjet rreth tij me fushat e mbjella me kultura bujqësore e drurë frutorë, kodrat e shpatet të veshura me lule e shkurre të harlisura, bjeshkët e kullotat livadhore me sipërfaqe të pafundme rrethuar me kurora me pyje gjethorësh e halorësh që ngrihen madhështore nga bjeshkët e Rrunës, të Zepës, Gjalicës, Koritnikut, Pashtrikut deri në Shkëlzen. Ato përbëjnë pjesën më të bukur të mozaikut shumëngjyrësh të livadheve alpine dhe bjeshkëve gërdhatore të Shqipërisë verilindore.
Nga të dhënat shkencore zyrtare mëson se sipërfaqet e ekonomive bujqësore, pyjore dhe të kullotave në të tre rrethet e këtij qarku rriten mbi 250 lloje bimësh mjekësore, tanifere dhe eterovajore, që, po të mblidhen në kohë dhe me parametrat tekniko – shkencorë të grumbullimit, do të siguronim qindra tonë për tregun, çka do të përkthehej në më shumë të punësuar për çdo vit si dhe në miliona dollarë të ardhura. Prandaj në shkrimin tonë do të përqendrohemi vetëm në njërën nga këto bimë, boronicën, mbasi nga studime të bëra kohët e fundit, nga studiues të universiteteve më prestigjioze të botës akademike e mjekësore, rezulton se boronica është një superfrut çudibërës në dobi të shëndetit dhe jetës së njeriut. Për të shkuar më tej në konkluzionin tjetër se, përbërja komplekse bio-kimike e frutave dhe e gjetheve të boronicës e bën këtë bimë një laborator natyrorë të jashtëzakonshëm për organizmin tonë, që nuk mund ta zëvendësojë asgjë me metoda artificiale.


mirtillo pianta NG1
Pikërisht për këtë arsye madhore që ka të bëjë me jetën e shëndetshme të njeriut, ne si grup, pas 28 vjetësh, u rikthyem edhe një herë (vullnetarisht) tek puna që kishim nisur në qershor të 1988 me një vendim të Këshillit të Ministrave të atij viti.
Është fillim shtatori 2016. Udhëtojmë me këmbë e me makinë duke rishkelur edhe një herë disa nga bjeshkët e ludinat e pafund të këtyre anëve, që janë krenaria e bujaria e alpeve shqiptare, për të parë gjendjen e boronicës së egër, që është shumë e përhapur në këtë qark (Kukës, Has e Tropojë), por, që nuk po tregohet kujdesi që meriton kjo bimë sot.
Mbi shpatullat e këtyre bjeshkëve e livadheve janë mijëra ha me boronicë. Sigurisht ne bëmë vetëm disa sondazhe në vendet më të pasura, ku mblidhet prodhimi i saj. Kjo ka risjellë këtu, si çdo vit tjetër qindra banorë të këtyre anëve nga fshatrat e qytetet e rretheve të më sipërme, por edhe nga rrethe të tjerë. Kudo ku shkuam, në bjeshkët e Malziut, Leprojt, Livadhet e Kolshit, Surrojt, Arrnit, Ujmishtit, Kolesianit, Shishtavecit, Gjallicës, Shkëlzenit, Llugajt, Sulbicës, Lugut të Vocit, Tropojës, Qeremit, Margegajt etj, takuam të rinj, të reja, burra, gra, fëmijë e pleq të moshuar që si bletë punëtore punonin pa u lodhur nga mëngjesi deri në mbrëmje, në kohën 15 gusht e gjithë shtatorin. Mbledhja e frutit bëhej me dorë, me “krehër” dhe me një mjet të quajtur gërhanë, pastaj kokrrat “çudibërëse” të boronicës transportohen me kova, bidona, çanta për t’i kaluar më pas në pika grumbullimi.
Dritani, një i ri nga Malziu, na thotë se gjatë ditës ka mbledhur 5 kg. Ndërsa Servetja, nga Shishtaveci kishte mbledhur 7 kg, për të kaluar më tej tek Arsen Aliaj nga Bytyçi, i cili në Sulbicë e bjeshkë të tjera, për 22 vjet radhazi ka mbledhur nga 10 kg në ditë, ndërsa si familje 30 kg në ditë. Më të fituarit ishin barinjtë, të cilët kanë përvojë si edhe kanë stanet aty, prandaj ata bëjnë “një rrugë e dy punë”, mblidhnin mbi 30 kg boronicë në ditë.
Kudo ku shkuam, shpateve të maleve e livadheve pa fund takuam fëmijë të vegjël 5-6 vjeçarë, djem e vajza, burra e gra të rritur, të tërë të shëndoshë e faqekuq si “molla”, tek po mblidhnin frutin e tyre të dashur, boronicën. Padyshim se këtë shëndet ata e kanë nga të ushqyerit e tyre me frutin çudibërës, çka e tregonin edhe buzët dhe duart e tyre të ngjyrosura nga lëngu i boronicës gjatë ngrënies dhe mbledhjes së frutave.
Çudia jonë më e madhe ishte se mbledhësit e boronicës këtë vit, merrnin 1 euro për çdo kg nga sekserë kosovarë e të Malit të Zi. Ndërkohë që grumbulluesit tanë mungonin aty(!). Por nga ana tjetër na erdhi mjaft mirë që bashkë me banorët e këtyre anëve, këtu në Shishtavec, si edhe në Shkëlzen, takuam turistë të huaj, të dashuruar pas natyrës shqiptare, tek eksploronin gjithë bukuritë dhe biodiversitetin e këtyre bjeshkëve e livadheve alpine, e bashkë me to shijonin edhe frutin çudibërës, boronicën e egër shqiptare, për të cilën na thanë fjalët më të mira.
Këto ditë në Malzi na ofruan boronica me sheqer, ndërsa në bjeshkët e Turajt na dhanë boronica me mjaltë. Diku tjetër na dhanë tortë me boronica.


bicchierini bicolori con mirtilli e yogurt immagine 725x545
***
Largohemi me plot dashuri nga bjeshkët dhe livadhet alpine të qarkut të Kukësit, që në gjoksin e tyre rrisin këtë mrekulli çudibërëse, e cila është në vendin e parë si bimë mjekësore që shërben si mjekim dhe ushqim, me një premtim: do kthehemi përsëri këtu për të parë ndryshimin!…

BORONICA
Emri shqip: Boronica (e egër), njihet edhe si qershigla (në Tropojë dhe Kukës), qershajza (në Dibër)
Emri latinisht: I përket familjes Ericaceae, njihet me emrin shkencor Vaccinum myrtillis L. dhe me emrat tjerë bilberry, blueberry
Shtrirja gjeografike: mbi 700 – 1500 m lartësi
Shkurre: 20 – 60 cm e lartë
Lulëzon: Maj – qershor
Piqet: Fillon në pjesën e dytë të gushtit
Madhësia e kokrrës: Kokërr e vogël, ngjyrë blu e mbyllët, në Tropojë frutet janë pak më të mëdha se në zonat e tjera të qarkut Kukës.
Vilet: gusht – shtator (kur frutet kanë arritur pjekjen e plotë)
Shija: boronica e egër ka shije të thartë, është e lëngshme.
Rritet në botë: Në male në Evropën veriore, Azinë perëndimore dhe Malet Shkëmbore në perëndim të Amerikës Veriore. Gjendet edhe në rajonin e Ballkanit duke e përfshirë Kosovën
Rritet në Shqipëri: Në bjeshkët e zonës së ahut dhe livadhet subalpine Qarku i Kukësit (Kukës, Tropojë, Has).
Jashtë qarkut të Kukësit: Rritet në Pukë, Dibër, Mirditë
Përdorimi: Frutet e pjekura të freskëta e të thara (ruhen në enë qelqi); gjethet (thahen në hije)
Përpunimi: Bëhet reçel, liko, pije, çaj, përdoret në ëmbëlsira, garnitura pjatash etj.
Përbërja kimike: Fruti përmban 80% ujë, glukozid, 7 % taninë, acide organike, vitaminë A, B, B (kompleks), provitamina etj; gjethet përmbajnë 20% taninë, kalcium, bakër, fosfor, hekur, magnez, mangan, kobalt dhe 15 komponime të tjera.
Boronica: Çudia që po bën çudi, por jo për qeverinë shqiptare!
Për fat të keq, e gjithë sasia e boronicës shqiptare grumbullohet, administrohet dhe përpunohet nga vendet fqinje. Në Shqipëri akoma s’ka treg grumbullues, përpunues apo transportues. S’ka pse një pasuri e tillë që ka treg në të gjithë botën, madje edhe në Japoninë e largët, të lihet në dorë të të huajve dhe të bëhet monopol i tyre.
Vetëm nga Kukësi shkojnë në Kosovë mbi 300-400 tonë boronica të freskëta në vit! Ata që e grumbullojnë sido me çmime simbolike, thonë se boronica shqiptare shitet sa hap e mbyll sytë, për shkak të cilësisë së lartë pasi rriten në bjeshkë.
Është e pafalshme që vetëm 3-4 për qind e sasisë së boronicës tregtohet në mënyrë ambulatore në Shqipëri, kur shteti ka mundësi ta menaxhojë këtë pasuri kombëtare jo vetëm për tregtim e përpunim, por edhe për ruajtje dhe zhvillim.
Mendojmë se gjendja e kësaj bime në qarkun e Kukësit është disi e mirë, mbasi ka edhe traditë të hershme si në vjeljen me kujdes, grumbullim dhe përdorimin e saj, po kështu edhe në ruajtjen e sipërfaqeve që zoti u ka falur bjeshkëve dhe njerëzve të këtyre trevave. Por kjo nuk është e mjaftueshme, sepse ka ende probleme serioze, prandaj duhen marrë masa të menjëhershme me zgjidhje afat shkurtër apo afatmesme, për ta vënë mbi baza shkencore punën me këtë frut çudibërës, boronicën:
Së pari, detyrë kryesore është grumbullimi i gjithë prodhimit të pritshëm të boronicës të këtij qarku, përjashto lënien e 20% të prodhimit për farë.
Së dyti: Duhen ngritur disa pika grumbullimi për boronicën si në Kukës dhe B. Curri, sepse sot i gjithë prodhimi eksportohet në Kosovë e Mal të Zi, dhe prej andej importohet në Shqipëri, me çmime të shumëfishuara.
Së treti, duhet menduar ngritja e impianteve të përpunimit në vend të boronicës shqiptare, si psh, një minifabrike, në Bajram Curri ose në Kukës.
Së katërti, hartimi i një projekti kombëtarë, për boronicën.
Së pesti, është koha që të kultivojmë boronicën në zona të tjera me të njëjtën lartësi ose më të ulëta, punë të cilën Kosova e ka nisur me mjaft sukses.
Së gjashti, duhet të subvencionohet nga Ministria e Bujqësisë kultivimi i boronicës së egër si dhe asaj të kultivuar.
Prandaj ne mendojmë se duhet bërë një riorganizim i plotë i gjithë punës me boronicën që fillon në bazë me pushtetin lokal, të bashkive dhe ish komunave (qendrat administrative), për të vazhduar më tej deri tek Ministria e Bujqësisë, strukturat pyjore rajonale si dhe ato qendrore për të grumbulluar gjithë sasitë e pritshme vjetore të boronicës çudibërëse që prodhon kjo zonë, çka do të ndihmonte ndjeshëm edhe në zbutjen e varfërisë në këtë qark.
Mendojmë se në Shqipëri duhet krijuar edhe tregu i shitjes së boronicës, i cili sot mungon, pasi sasitë e velura të saj shkojnë në Mal të Zi dhe Kosovë. Duhet menduar fort edhe për boronicën e kultivuar, mbasi në këto anë janë të gjitha kushtet e favorshme për rritjen e saj. Megjithëse boronica e egër është më e qëndrueshme se varianti i kultivuar, ky i fundit është më i ëmbël, më kokërrmadh dhe më pak i lëngshëm, por prodhimtar.

Boronica: “princi” i tavolinës dhe mbreti i “farmacisë”
Nga të gjitha studimet e bëra kohët e fundit rezulton se boronica është fruti më i mirë e më çudibërës për shëndetin e njeriut e për këtë arsye është ushqim, por edhe ”mjekim, sepse, ushqimi i rregullt me boronicë mbron zemrën; ngadalëson plakjen e trurit, demencën dhe çmendurinë; nxit forcimin e kockave, sidomos në raste artritesh; ndihmon në rregullimin e sheqerit në gjak; përmirëson shikimin gjatë natës, sidomos në errësirë; forcon sistemin imunitar duke reduktuar efektet e dëmshme, kjo vjen nga pigmenti i errët në të kaltër i lëkurës së frutit të boronicës; zvogëlon rrezikun e sëmundjeve të kancerit; kryen efekt të dobishëm në murin e fshikëzës urinare në raste të infeksionit të traktit urinar; stimulon tretjen dhe parandalon kapsllëkun; nxit prodhimin e kolagjenit, zbusin lëkurën dhe reduktojnë rrudhat; ndihmon në reduktimin e dhjamit dhe humbjen në peshë; ka efekt në ulçerat e stomakut dhe të duodenit; përmirëson aftësitë motorike dhe kontribuon për mësim të mirë.
Një ndër dhjetëra recepturat e boronicës
Mundësisht, ushqehuni çdo ditë me nga një grusht boronica të njoma ose të thata e gjithçka tjetër që mund të shoqërohet me to. Përdorni receta të ndryshme të boronicës, që do t’i gjeni në librat e bimëve mjekësore:
• Pesë racione boronicë në ditë për dy muaj rresht, ulin nivelin e sheqerit në gjak.
• Kur hani boronica të freskëta, ato do t’ju ndihmojnë që truri të punojë fort dhe ju të mendoni më shpejt.
• Dy racione me boronicë në ditë reduktojnë humbjen e shikimit, që vjen si pasojë e plakjes.
• Pesë racione me boronicë në javë, na ruajnë nga sulmi në zemër.
• Konsumoni një gjysmë filxhani me boronica që të reduktoni rritjen e kancerit ekzistues.
• Ushqeni fëmijët me boronica, sa herë ata t’i duan, sepse kjo ndikon në zhvillimin e eshtrave të tyre.
• Dy lugë me boronica, dy filxhanë sheqer, plus tri lugë me lëng limoni, lëkura juaj do të ngjallet, shkëlqen dhe bëhet më e butë.