Dy turistë gjermanë bien në greminë në Valbonë

Një ngjarje e rëndë dyshohet të ketë ndodhur në alpet mes Valbonës dhe Thethit.

Disa turistë kanë humbur rrugën dhe më pas dyshohet se kanë rënë në një greminë.

Policia e Tropojës njoftoi se ka marrë njoftim nga kolegët e Shkodrës, që në kufirin mes Thethit dhe Valbonës, dyshohet se dy turistë gjermanë, duke eksploruar zonën, janë dëmtuar rëndë.

“Për t’u ardhur në ndihmë turistëve, janë nisur shërbimet e Policisë të Komisariatit Tropojë dhe Shkodër, si dhe është njoftuar spitali i Tropojës, për të nisur ekipin mjekësor”, thuhet në njoftimin e policisë.

Aksidentet në alpe janë një fenomen i shpeshtë për shkak të terrenit të vështirë si edhe faktit që frekuentohen nga një numër i madh vizitorësh thuajse gjatë gjithë vitit.