Tropoja, me të dhënat e saj historike, arkeologjike dhe etnografike është një dëshmi e gjallë që na bën të besojmë se kjo zonë ka trashëguar një kulturë të hershme materiale dhe shpirtërore. Ndonëse një krahinë relativisht e vogël, ajo ka qenë jo vetëm vatër e trashëgimisë së kulturës Iliro-Dardane, por edhe vatër e trimërisë dhe luftrave të shquara në mbrojtje të trojeve shqiptare. Virtyti më hyjnor i kësaj zone, “Besa” është kthyer në mit, deri edhe në simbol të lidhjes direkte me emrin e Zotit…“Ta jap shpirtin, ta fali djalin, por mbi besë nuk shkeli…” Një shprehje që e tregon më së miri traditën e besës së dhënë në veri të vendit, por sidomos në zonën e Tropojës.
Piezazh fshati në Tropojë
Historia
Tropoja është e banuar që në periudhën e hershme të bronzit(2000-1700 vjet p.e.s) që daton pas Neolitit të vonë. Në kohën e Ilirisë, ky rreth ka qenë i populluar nga fisi i Dardanëve. Vendbanimi i hershëm i Rosujës, ka qenë qendra kryesore administrative e pozicionuar në kufirin mes dy fisive, Labeatët dhe Dardanët, që daton 400 vjet p.e.s, nga ku rrjedh dhe emërtimi i banorëve autoktonë vendas “Dardanmalas”.
Vendbanime të tjera që datojnë para erës sonë janë ato të Bujanit, Selimajt,Komit,Cerrnicës, Shoshanit, Nikajt dhe Mulajt. Gjatë periudhës së pushtimit nga Perandoria Osmane, Tropoja ishte pjesë e Vilajetit të Kosovës, kohë nga e cila ka trashëguar dhe toponimin tradicional “Malësia e Gjakovës”.
Para fillimit të Luftës së Dytë Botërore, Tropoja së bashku me Hasin dhe Kukësin ishin njësi përbërëse të Prefekturës së Kosovës, që ishte një nga 10 zonat administrative të Shqipërisë së atëhershme. Të një rëndësie mbarëkombëtare janë dhe dy kuvendet e zhvilluara gjatë viteve 1939-1945. Kuvendi i Malësisë së Gjakovës në gusht të 1943, në të cilin u lidh besa ndërmjet të gjithë delegatëve në kuvend për luftë të përbashkët kundër pushuesit fashist, si dhe Konferenca e Bujanit, ku u deklarua shkëputja dhe pavarësia e plotë e Kosovës nga Jugosllavia.
Tropoja u çlirua nga pushtuesit në tetor të vitit 1944. Personalitetet historike janë të shumtë në numër në këtë zonë, por vlen të përmendet Bajram Curri, Hero i popullit, i cili në moshën 18 vjeçare luftoi përkrah Mic Sokolit dhe Ali Ibrës për mbrojtjen e trevave shqiptare të Plavës dhe Gucisë.
Kostume popullore të Tropojës
Kulturë e trashëgimni
Në traditat e hershme popullore të kësaj treve përmendim banesat, zejtarinë, veshjet, këngët, vallet, dasmat etj. Trashëgimia arkitekturore në ketë trevë zë fill qysh në kohët e lashta, në Iliri. Aty gjejmë ndërtime në qyteza dhe në kala, muret e të cilave janë të ndërtuara me gurë të përmasave të mëdha të palatuar e deri te banesat e sotme. Ndër format më të preferuara të banesave mbizotëronin kullat e tipit të Malësisë.
Etnografia dhe folklori, si një pjesë e traditës dhe kulturës vendase, përbëjnë dy ndër elementët më të pasur të Tropojës. Ndërkohë që vallet janë bashkudhëtare në rrugën e gjatë të historisë dhe pjesë përbërëse e jetës shpirtërore të popullit te kësaj treve. Ato shquhen për dinamizëm, forcë, epizmin dhe lirizmin e tyre. Vallja është kërcyer tradicionalisht në Malësi të Gjakovës. Tipari dallues i valleve popullore te burrave është forca e dinamizmi, ndonëse karakterizohen nga spontaniteti në interpretim, ato kanë edhe një tematikë të caktuar.
Ndërkaq vallet e grave janë tejet dinamike, elegante, herë herë dhe shpërthyese, por edhe të shtruara plot krenari dhe hijeshi. Ndër vallet kryesore janë: Vallja e Tropojës, Kcimi i Sokolit, Kcimi me tepsi, Vallja e shqiponjave, Vallja e shpatave etj. Vallet e rrethit të Tropojës kanë fituar shumë çmime në festivalet e Gjirokastrës, Ohrit, Kosovës dhe në shumë vende të tjera në botë.
Alpet shqiptare
Disa nga llojet e shumta të këngëve popullore tradicionale janë një tjetër element i rëndësishëm i kulturës vendase. Ekzistojnë lloje këngësh tradicionale, kryesisht këngë kreshnikësh që transmetojnë Eposin (Ciklin) e Kreshnikëve, nga rapsodë të shoqëruar nga lahuta majë krahut. Këngët që femrat malësore përfaqësojnë janë: këngë çikash, vaji, djepi dhe gjëme. Të gjitha llojet e këngëve shoqëroheshin me instrumentet popullore si : lahuta, çiftelia, tupani, sharkia, fyelli dhe defi. Në kohë këto tradita përcillen nga emra të njohur artistësh ku vlen të përmendim këngëtaren Fatime Sokoli “Mjeshtre e madhe”, Fatmira Breçani, Gëzim Nika, dhe artistë të tjerë.
Edhe zejtaria në këtë zonë zë fill qysh në kohët e lashta. Ka pasur mjeshtër të mirë për përpunimin e drurit, të gurit e të qeramikës. Përpunimi i drurit gjente një përdorim të gjërë në ndërtimin e shtëpive, veglave të punës, enëve të kuzhinës, për bërjen e instrumenteve popullore etj. Një zeje tjetër e kahershme janë edhe punimet me thurje. Ndërkohë në Malësinë e Gjakovës tradicionalisht janë përdorur dhe vazhdojnë të përdoren shumë variante veshjesh popullore. Për burrat përdorën veshjet me tirq dhe me kapuçin e bardhë të kokës gjysmesferik. Larmia me e madhe ekziston te veshjet e grave. Tiparet kryesore janë ; Veshja e “ngushte ”dhe atro me pështjellak të gjanë.
Hotele në Valbonë
Turizëm
Tropoja ka qënë dhe mbetet perla turistike e alpeve shqiptare. Pika turistike e Valbonës, me bukuritë e saj dhe jetesën origjinale të komunitetit të kësaj zone, është kthyer së fundmi në një nga destinacionet më të preferuara për turistët e shumtë të huaj dhe vendas. Qindra turistë, kryesisht të huaj, udhëtojnë drejt luginës së Valbonës, në Tropojë, në çdo stinë të vitit ku terreni i thepisur, kthjelltësia ujore në të cilën rritet trofta, peshku i shijshëm e karakteristik, e bëjnë atë zonën më të preferuar në veri të Shqipërisë. Më aventurierët ngjiten në male deri në dy mijë metra lartësi, ndërsa të tjerët preferojnë të shëtisin përgjatë bregut të lumit e pranë ujëvarës.
Valbona në dimër
Në Tropojë mund vizitosh dhe vende historike të cilët janë bërë të njohur edhe për gojëdhënat që i shoqërojnë. Përmendim Kalanë e Rosujës, e cila dëshmon vendbanime dhe rrugë antike ilire . “Gjyteti” (Qyteti) është një legjendë e cila bazohet në rrënojat e mureve deri në katër metra trashësi që shtrihen në skajin veriperëndimor të fshatit Shoshan. Gojëdhënat flasin për shtatë vëllezër dardanë që mbretëruan në këtë qytet antik. “Mrizet e zanave” lidhet me Eposin e Kreshnikëve, konkretisht me figurat mitologjike – “Orët dhe Zanat”. Vendasit besojnë që orët dhe zanat të kenë qenë krijesa të mbinatyrshme që pushonin dhe dilnin nga vende të tilla, të veshura në të bardhë, që mbronin personin përkatës që u ishte caktuar (kryesisht kreshnikët e maleve), por edhe ishin shumë të rrezikshme në rast se shkeleshin rregullat e mirësjelljes ndaj tyre.
Ndërkohë në odat bujare por edhe në restorantet e zonës, vizitorët mund të gjejnë ushqimin tradicional, icili është i bazuar në prodhimet blegtorale, kryesisht mishi dhe bylmeti.
Elida Lazi/ redaktorja Wang Lei