Max Verstappen triumfoi në Çmimin e Madh të Meksikës, me pilotin holandez të RedBull që dominoi përgjatë gjithë garës duke marrë një fitore të lehtë, duke qenë se asnjë prej rivalëve në pistë nuk mundi ta sfidonte.
Për 25-vjeçarin ishte fitorja e 14-të sezonale teksa vendosi një rekord unik në Formula 1 duke qenë se u shndërrua në pilotin me më shumë suksese përgjatë një sezoni.
Verstappen parakaloi në këtë klasifikim një legjendë si Michael Schumacher i cili ishte ndalur në 13 fitore përgjatë një sezoni, një shifër të cilën në fakt e kishte regjistruar edhe Sebastian Vettel gjatë periudhës së tij të artë me RedBull.
Pas këtij rekordi që e vendos në majat më të larta të Formula 1, Verstappen theksoi se për të ishte diçka e pabesueshme i cili nuk harroi të lavdëronte edhe skuderinë për makinën që në këtë sezon ka qenë në top-formë.
“E pabesueshme, 14 fitore sezonale. Çfarë sezoni ka qenë, më bëhet qejfi edhe për Sergio Perez që u ngjit në podium. Është një rezultat i shkëlqyer dhe makina ishte mjaftueshëm e shpejtë. Përdorëm një strategji ndryshe nga të tjerët, më pas vendosëm gomat e mesme dhe kisha një ndjesi shumë të mirë me makinën.
Duhej t’i menaxhonim mirë gomat sepse do të qëndroja shumë kohë në pistë me të mesmet, por ia dolëm mbanë. Unë synoj të fitoj sërish në garat e mbetura, po e shijoj këtë periudhë dhe padyshim që do të tentoj të zmadhoj këtë rekord të arritur”, u shpreh Verstappen.
Deri në fund të kampionatit, kanë mbetur edhe dy gara, fillimisht ajo e Brazilit më datë 13 nëntor dhe më pas, Abu Dhabi më datë 20 nëntor aty ku Verstappen mund të mbërrijë edhe në 16 fitore sezonale.